Gjysma e shqiptarëve kanë llogari në bankë. Numri total i llogarive bankare të klientëve, të vlefshme për të kryer pagesa në lekë apo në valutë të huaj, sipas të dhënave më të fundit është 1,573,830, njoftoi Banka e Shqipërisë në raportin më të fundit mbi sistemin bankar. Sipas BSH-së, nga totali i këtyre llogarive, rreth 91% janë llogari individuale. Ndërkohë që, më pak se 1% e numrit të përgjithshëm të llogarive, janë të aksesueshme nga interneti në shtëpi, për të kryer pagesa apo për të kontrolluar gjendjen e llogarisë. Numri i përdoruesve të llogarive bankare, është rritur së tepërmi vitet e fundit nga disa vendime të qeverisë, të cilat e kanë bërë të detyrueshme dhënien e rrogave si nga shteti ashtu edhe nga privatët, nëpërmjet sistemit bankar. Kështu, çdo i punesuar i deklaruar, është bartës i një karte bankare dhe i një llogarie bankare gjithashtu. Në fund të vitit që shkoi, në Shqipëri operonin 16 banka, të cilat ofronin shërbime pagesash në 438 degë dhe agjenci bankare në të gjithë vendin. Gjatë këtij viti, janë shtuar gjithashtu makinat ATM dhe terminalet POS për përdorimin e kartave, me një rritje përkatësisht prej 45 dhe 61%, krahasuar me numrin e tyre në fund të vitit 2007.
BSH:
Të ulen interesat e huave në lekë
Bankat e nivelit të dytë, duhet të ulin nivelin e interesave për kreditimin në monedhën vendase. Banka e Shqipërisë e ka dhënë këtë këshillë, në kuadër të monitorimit të sektorit financiar nga problemet që po sjell kriza financiare ndërkombëtare. “Për këtë arsye, është koha që sektori bankar t'i japë përparësi kreditimit në monedhën kombëtare, kundrejt asaj në valutë, duke shfrytëzuar mundësitë më të mëdha që ofrojnë depozitat e publikut dhe huamarrja nga Banka e Shqipërisë” thuhet në analizën e fundit të Bankës Qendrore mbi zhvillimet në sistemin bankar. Për këtë qëllim, sektori bankar duhet të ndjekë politika më të përshtatshme të përcaktimit të çmimit të kredisë, për të nxitur rritjen e kërkesës për kredi në monedhën vendase, njofton banka qendrore. Gjithashtu duhen gjetur forma, të cilat mbështesin rritjen e depozitave dhe që përfshijnë rritjen e fleksibilitetit të përdorimit të tyre nga publiku, aksesin më të shpejtë nëpërmjet internetit ose elementeve të tjera të komunikimit modern etj. Aktualisht, normat e interesit të kredisë në monedhën vendase janë dukshëm më të larta, se normat e interesit që jepen në valutë dhe nga ana tjetër burimet e bankave për të kredituar në valutë, janë më të paktë për shkak të efekteve të krizës.
Në fund të shtatorit
Kompensim i ish-pronarëve
Pak ditë më parë u mbyll aplikimi për ish-pronarët që mund të përfitojnë nga kompensimi i këtij viti. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, bëri të ditur se numri i aplikantëve arriti në 520, ndërsa numri i përfituesve do të varet nga data e vendimeve të dhëna nga Agjencia e Pronave dhe nga vendndodhja e pronave që kërkohet të kompensohet. “Sa më shumë aplikime të jenë nga Tirana, aq më pak përfitues do të ketë, sepse gjithçka varet nga çmimi i tokës. Nëse sipërfaqet që do të kompensohen do të kenë çmim të lartë atëherë numri i përfituesve do të ulet”, - theksoi Çefa. Sipas tij, kompensimi do të nisë në muajin shtator, afat ky përgjatë të cilit agjencitë rajonale në qarqe kanë të drejtë të verifikojnë dokumentacionin e paraqitur. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës hapi nga data 15 qershor 2009 deri më 14 korrik 2009 procesin e pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim financiar për subjektet e shpronësuara dhe/apo trashëgimtarët e tyre ligjore, të cilët plotësojnë kriteret dhe kushtet e parashikuara nga VKM Nr. 487, datë 06.05.2009, “Për përcaktimin e rregullave dhe kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”. Sipas ligjit, ky proces i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim vazhdoi për 30 ditë.
Ushqimi
Gati Autoriteti Kombëtar
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë në funksionim brenda muajit korrik. Kjo është një nga sfidat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas burimeve të Ministrisë së Bujqësisë, krijimi i këtij autoriteti pritet të rrisë sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore në tregjet e vendit. Ky komitet po ngrihet si pjesë e ligjit të ri të ushqimit, që është hartuar në fillim të këtij viti. AKU-ja është konceptuar të jetë nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë. Ndërsa dikasteri do të bëjë politikat në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti do të ketë më shumë rolin e inspektimit dhe kontrollit për ligjshmërinë në këtë fushë. Ky autoritet po ngrihet dy vjet para afatit, me qëllim që të përshpejtohet plotësimi i standardeve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të ketë bordin drejtues, panelet shkencore dhe komitetin shkencor me profesorë të fushave përkatëse, që kanë të bëjnë me ushqimin, si dhe do të përfshijë të gjithë veprimtarinë e inspektorateve të shpërndara në institucione të ndryshme.
Sigurimet
Rriten dëmet e paguara
Kompanitë e sigurimit kanë paguar më shumë para për shlyerjen e dëmeve gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare tregojnë se gjatë 5 muajve të parë të 2009-s, totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve arriti në rreth 656 milionë lekë ose 27 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga AMF-ja, pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike ose pagesës për aksidentet rrugore me 588 milionë lekë, ekuivalente kjo me 90 për qind të totalit të dëmeve të paguara. Por edhe pse sasia e dëmeve të paguara ka pësuar rritje, krahasuar me shumë vende të tjera të Europës, Shqipëria mbetet larg. Ekspertët e AMF-së shpjegojnë se duke qenë se raporti dëme/prime në nivel tregu, vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta me rreth 25 për qind, janë ndërmarrë disa masa që kanë të bëjnë kryesisht me trajtimin e dëmeve, bazuar në standardet e OECD, licencimin e vlerësuesve të pavarur të dëmeve në sigurime. Vëmendje e veçantë po i kushtohet trajtimit të ankesave të ndryshme, krahas detyrimit të vendosur të shoqërive të sigurimit për mbajtjen e një baze të dhënash për ankesat e konsumatorëve, e cila do të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti.
Koncesion
Për hidrocentralin e Vajkalit
Hidrocentrali në Vajkal në rrethin e Bulqizës do të jepet me koncesion, duke iu shtuar kështu listës së HEC-eve të tjerë vendorë ku është zbatuar e njëjta praktikë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi shpalljen e ftesës për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për dhënie koncesioni, e cila do të zhvillohet në datën 30 korrik. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka arritur të përfundojë rreth 60 kontrata koncesionare për ndërtimin e 104 HEC-ve vendorë në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat kapaciteti prodhues i energjisë në total llogaritet në 1 mijë megavat. Sipas burimeve nga ky dikaster, vendimi është marrë në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit Vajkal dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”. Në këtë procedurë konkurruese janë ftuar të marrin pjesë të gjithë investitorët e interesuar.
|